anasresor.blogg.se

Reseupplevelser i möte med lokalbefolkning och annat resande folk

TURIZËM BARBARIZËM

Publicerad 2017-09-26 10:32:00 i Allmänt,

Mëngjes i së martës, 18 shtator 2017. Në rrugën për të shkuar buzë detit nga vendi ku po banoj, afër postës së Plazhit në Durrës, ndaloj disa minuta për të blerë byrek me spinaq, rutina kjo e përditshme në ditët me diell. Qielli në krahë të majtë të rrugës është mbuluar nga një re gjigande gri. Diku afër digjen plera plastike. Një dukuri kjo e përditshme në atë zonë, por jo me përmasat e asaj dite. Në vend që të qëndroj pak caste përbri shkollës Bajram Curri të shikoj një nga gjërat më të bukura të ditës, fëmijët që shkojnë në shkollë, vazhdoj shpejt më tutje pasi tymi është tepër i rëndë e toksik. Më duhet gjithsesi të ndaloj te burri në rrugë që ndërron Euro. Pa e pyetur fare ai më jep informacionet e ditës e më vonon, duke menduar se kështu më bën kliente te rregullt. Mundohem të marrë frymë sa më sipërfaqshëm që të mos fut në mushkri tymin gjithë helm. Po a mundem? Frymmarrja bën të sajën e mushkeritë thithin atë ajër për të cilat kanë nevojë. Më në fund dal buzë detit ku tymi i djegjes ndihet më pak. Vazhdoj më lart e futem ne pistën Liburnia ku vetëm nga fundi tymi nuk ndihet aq. Pasi e kam shoqeruar kafenë me byrekun dhe kam parë e-mailet e punës, paguaj por s’me jepet faturë. ”Cfarë bëri një kafe e paguar pa faturë”! ”Ec mo se është fundi i sezonit e s’ka shumë punë”, do të ishin komentet e disave. Sa fatura të tilla në ditë nuk jepen në gjithë plazhin e Durrësit? Shumë, duke ditur numurin e tyre të madh. Brenda në Durrës jepen fatura kudo por plazhi është akoma xhungël e pakontrolluar.
Eci përsëri buzë detit për të shkuar te vendi ku do bej plazh. Pak me vonë vjen një familje nga Kosova me katër adoleshentë të cilët fillojnë të hanë fara luledielli. Asnnjë nga adoleshentët qe ishin rreth 15-18 vjec nuk duket, si brez i ri që është, t’i shkojë sikur një sekondë në mendje fakti që s’është fare në rregull të hedhin zhgole në rërë. Po ashtu edhe prindërit. Për jo më shumë se gjysëm ore, rëra rreth tyre mbushet me një re të zezë. Më përzihen zorrët nga mbllacitjet e tyre e mundohem të përqëndrohem te libri që lexoj. Aty të paktën është qetë. Disa ditë më parë kur qëndrova në një hotel të një standarti të lartë, nga ora 10-të e mëngjesit e deri në 6-të mbasdite nuk pushonte muzika ekstremisht e lartë e barit në mes të cadrave. Një muzikë bastarde shqiptare që të rënqethte jo vetëm cdo qelizë të trupit por që shndërrohej në nje torturë psikologjike si për mua e për ata turistët të huaj që ishin aty. ”Cfarë mallkimi paskeni marrë o njerëz të detyroheni te përballeni me keto cmendurira!” thoja me vete. E nga kush? Nga disa të rinj capaculë pa bluzë e vetëm me pantallona të shkurtra. Pra stafi ky i një hoteli me pesë yje! Injorimi tjetër total ishte në bufenë e mëngjesit. Kamarierë të veshur jo uniformë, duke servirur sikur të ishte një dasëm lagje, i përgjigjeshin shpërfillshëm turistëve të huaj kur ata kërkonin ushqimet që mbaroheshin shpejt. Turistët mundoheshin të shkretët të përkthenin fjalët në google, kur kamarieri përgjigjej arrogant në shqip: ”U mbaruan vezët o vëlla, po prit se do të vinë të tjera!”
Ekzakt një vit më parë në një hotel tjetër edhe ai me një standart shumë të lartë, rreth 200 turista polakë ku midis tyre dhe femijë të vegjël, u ndeshën me një tjetër barbarizëm për një natë të tëre. Atje u mbajt dasma e djalit të një vipi ku kishte jo një por dy orkestra, një shqiptare e një greke. Që të shtunën në mëngjes orkestra greke filloi të bënte prova në një nga ambjentet afër pishinës duke u bërë tepër bezdisëse për turistët. Por kulmi ishte në mbrëmje. Si fillim ata turistë që hanin darkën në hotel u zhvendosën në ambjenet e një salle konferencash pasi salla e restorantit ku ata hanin cdo darkë po pergatitej për dasmën. Kulmi ishte vetë dasma. Nga ora 10-të e darkës deri në 3 të mengjesit, muzika ishte aq e lartë saqë ishte e pamundur për asnjë qënie njerëzore te flinte, edhe pse kishe kufje në vesh. Kurse ”ëmbëlsira” erdhi në fund. Për t’a bërë dasmën sa më pompoze e për të shitur sa më shumë pordhë, pikërisht kur turistët në hotel i kishte shakaritur gjumi e bashkë me ta edhe mua, filloi një show i cmendur fishekzjarrësh të cilët nuk ishin ata të zakonshmit e vitit të ri. Ato ishin raketa të mëdhaja e sigurisht tepër të shtrenjta që të sillnin ekzakt imazhin e një lufte. Në cdo vend të Europës për të ndezur raketa të tilla, duhet marrë lejë në polici, por a kemi ne shqiptarët nevojë për leje? Jooo, kush tha? Ne ndezim, bëjmë zhurmë, terorizojmë e festojmë në bastardizëm kur të duam e si të duam! Si kishte guxim hoteli të shkatërronte natën e atyre 200 turisëve që i kishte mysafirë?! Përgjigja tepër e thjeshtë. Ai hotel nuk do të punonte më me atë tur operator vitin tjetër, prandaj pse i duhej prishur qefi princit e prindërve të tyre të pasur, t’a bënin dasmën pikërisht atje? Patjetër që dasmë do bëhej! Se ne nuk ofrojmë turizëm por barbarizëm!
Po një vit më parë një tjetër tur operator i huaj firmos një kontratë me një hotel (që mbahet gjasme nga më të mirët në plazh) për një tur të caktuar. Depozita paguhet ashtu sic duhet por vetëm dy javë para turit e në pikun e turizmit, hoteli e prish kontratën se atje do të shkonte kombëtarja e futbollit e para asaj asnjë tur operator s’pi ujë. A ia vlente prishja e kontratës me tur operatorin e huaj për atë hotel? Edhe pse bashkëpunimi mund të ishte 5-ë apo 10-të vjecar? Pse jo! Se hotele të tilla të standartit të lartë në Shqipëri i kanë cubat që i kanë bërë paret me drogë e pisllëqe të tjera. Ta shikoje se si do të punonin këto hotele po të ishte ngritur cdo tullë me djersë se si do kujdeseshin për cdo bashkëpunëtor të tyre, qofshin ata që sjellin 50 apo 5000 turista. Por Shqipëria është akoma në dorë të ketyrë cubave, si në shumë fusha të tjera të jetës, ashtu edhe në turizëm. Kompania polake charter Itaka solli këtë vit numurin më të madh të turistëve në Shqipëri i cili i kaloi mbi 15 000, që hotelet në Shqipëri se kam idenë se cfarë nderi gjigand iu bëhej. Por po ashtu, vit pas viti ajo mund të sjellë më pak, pasi pjesa më e madhe e ketyre turistëve kanë qënë të pakënaqur. Nuk mjaftojnë që kemi hotele pompoze kur mungesa e profesionalizmit është akoma tepër e madhe e kur ata drejtohen nga ”cubat”
Unë jam gjithsesi me pushime në vendin tim i cili me tym apo pa tym më tërheq si magnet e unë lumturohem të jem ketu. edhe ata turistë që e thithin atë të tym e kanë një zgjidhje. Thjesht një shëtitje e gjatë buzë detit e fundja fundja ata janë aty 7-të apo 10-të dite. Por zemra ime qan për ata mijëra fëmijë e ata mësues që ngujohen në dy godinat e shkollës së plazhit, që cdo ditë thithin tymin e helmeve nga barbarët vendas që djegin plerat, e për të cilët bashkia e Durrësit vit pas viti, nuk bën asgjë për këtë krim kaq të madh ndaj natyrës e qënies njerëzore.

Om

Min profilbild

Ana resaren

Lärare, tolk, mångspåkig, historiker, reseguide, resekonsult, antropolog

Till bloggens startsida

Kategorier

Arkiv

Prenumerera och dela